×

Cart

Your cart is empty.




Plagët dekubitale – shkaqet, simptomat dhe parandalimi

Plagët dekubitale – shkaqet, simptomat dhe parandalimi

Plagët dekubitale paraqesin lëndime të pjesëve të buta të trupit, të cilat gjatë kohë janë të ekspozuara ndaj presionit. Paraqiten si pasojë e qarkullimit të çrregulluar, gjegjësisht kur ndërpritet furnizimi i indit me materie ushqyese dhe oksigjen nga njëra anë dhe nga ana tjetër kur largohen jo tërësisht produktet metabolike. Më së shpeshti paraqitet në vende ku pjesët kërcore janë më të shprehura, siç janë: thembra, bërryli, përgjatë boshtit kurrizor, kërdhokullat, pjesa e prapme e gjunjëve, skaji i guacës së veshit…

Cilët janë pacientët e rrezikuar nga plagët dekubitale?

Grup rreziku i pacientëve për paraqitjen e plagëve dekubitale janë:

  • Pacientët me sëmundje kardiovaskulare
  • Diabetikët
  • Pacientët me çrregullime metabolike
  • Të sëmurët nga veshkat
  • Anemikët…

Krahas sëmundjeve si shkak për paraqitjen e plagëve dekubitale, ekzistojnë edhe faktorët e jashtëm: higjiena e pamjaftueshme, pozita e pavolitshme e pacientit, rrudhat e çarçafit spitalor dhe rrobat spitalore.

Simptomat e sëmundjes

  • Simptoma e parë si pasojë e qarkullimit të çrregulluar paraqitet zbehtësia e pastaj edhe skuqja e lëkurës.
  • Nëse me paraqitjen  e simptomave të parë nuk parandalohet sëmundja, lëkura bëhet e lagësht, e jargët dhe fillon të qërohet.
  • Me zhvillimin e sëmundjes plaga zgjerohet në thellësi dhe gjerësi, dhe mund të paraqitet sekret i qelbur dhe nga plaga përhapet aromë e pakëndshme.
  • Stadiumi i fundit është përhapja e plagës deri në kockë. Pacienti fillon të ndjejë dhimbje të fuqishme dhe mund të paraqitet temperaturë e rritur e trupit si pasojë e infektimit.

Parandalimi

Parandalimi varet prej disa faktorëve:

Ri-pozicionimi. Ndërrimi i shpeshtë i pozitës së pacientit që të përmirësohet qarkullimi në inde.

Masazhi. Rekomandohet masazh me lëvizje rrethore të bërrylave, gjunjëve, thembrave, si dhe pjesëve tjera ku ekziston rrezik nga paraqitja e plagëve dekubitale. Gjatë masazhit rekomandohet të përdoret sapun, alkool dhe talk.

Higjiena. Mirëmbajtja e higjienës personale të pacientëve dhe kujdesi i lëkurës.

Jastëk dhe dyshekë anti-dekubital. Për pacientët të cilët gjatë kohë rrinë shtrirë, nevojitet të përdoren dyshekë dhe jastëk anti-dekubital.